Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka takuar përfaqësuesit e Institutit Kreditor për Rindërtim (KfW) nga Gjermania, të cilët po qëndrojnë në vizitë në Kosovë, i cili i ka informuar zyrtarët e këtij institucioni për gjendjen në sistemin financiar.
Mehmeti ka falënderuar përfaqësuesit e KfW-së për përkrahjen e vazhdueshme për zhvillimin e sistemit financiar, përkatësisht në përkrahjen e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK).
Me këtë rast, Mehmeti ka deklaruar se sektori financiar ka pasur zhvillime pozitive, ku asetet e sistemit financiar kanë shënuar rritje vjetore prej 6.9 për qind, ndërsa kreditimi bankar ka shënuar rritje vjetore prej rreth 11 për qind, normat e interesit në kredi kanë zbritur në 6.3 për qind, ndërsa norma e kredive joperformuese ka shënuar rënie në 2.7 për.
Gjithashtu, ai i njoftoi përfaqësuesit e KfW-së lidhur me zhvillimet pozitive edhe në sektorët tjerë, si sektori i sigurimeve, pensioneve dhe ai i institucioneve mikrofinanciare dhe financiare jobankare.
Përfaqësuesit e KfW-së, kryesuar nga Markus Aschendorf dhe Thomas Reker e njoftuan guvernatorin Mehmeti lidhur me projektet e KfW-së në mbështetje të mëtutjeshme të FKGK-së dhe projekte tjera, si dhe diskutuan për mënyrat e rritjes së mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet KfW-së dhe BQK-së. /Telegrafi/