Site icon Telegrafi

Guvernatori Mehmeti mori pjesë në takimin rajonal të guvernatorëve

Më 26-27 mars 2018, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, mori pjesë në takimet e Guvernatorëve të regjionit dhe udhëheqësve të sektorit financiar, ku u diskutua lidhur me gjendjen e tanishme dhe të ardhmen e sistemit financiar në regjion.

Temë kryesore e diskutuar gjatë kësaj tryeze të rrumbullakët të Guvernatorëve këtë vit, ishte fokusi në sfidat e politikës monetare, sfidat e ekonomisë të ndërlidhur me normalizimin e politikës monetare dhe zgjidhjen e problemit të kredive joperformuese të akumuluara.

“Me këtë rast, Mehmeti në Panelin e Guvernatorëve diskutoi lidhur me kreditë jopërformuese dhe cilësinë e mirë të porofolit kreditor në Kosovë. Në këtë kontekst ai theksoi se, norma e kredive jopërformuese në Kosovë në vazhdimësi ka qëndruar në nivel shumë të ulët dhe asnjëherë që nga fillimi i funksionimit të sektorit bankar të Kosovës nuk ka arritur në normë dyshifrore, madje as gjatë krizës globale financiare, kur niveli i kredive jopërformuese ishte 8.7 për qind. Përveç tjerash, Mehmeti potencoi edhe faktorët që kanë ndikuar në normën e ulët të kredive jopërformuese në Kosovë, si zhvillimi i sektorit bankar nga fillimi duke mos trashëguar asgjë nga sektori bankar paraprak, duke vendosur bazat e një sektori tërësisht në pronësi private, e cila shërbeu si avantazh i rëndësishëm krahasuar me vendet e rajonit dhe problemet që kishin me shëndetin e bankave me pronësi shtetërore”, thuhet në njoftimin e BQK-së, përcjell Telegrafi.

Gjithashtu, kontribut të rëndësishëm ka pasur edhe qasja e BQK-së, ku në vitin 1999 u adoptua marka gjermane si valutë zyrtare e pastaj euro, e cila ka bërë që në agjendën tonë të fokusohemi në zhvillimin e kapaciteteve me ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin financiar dhe t’i përgjigjemi në çdo kohë çdo lloj tendence, e cila mund të rrezikonte stabilitetin financiar.

Faktor me rëndësi të veçantë është edhe stabiliteti makroekonomik që gëzon ekonomia e Kosovës çdo vit, duke pasur vazhdimisht rritje ekonomike me një mesatare prej 3.5  deri 4 për qind. Megjithëse, kjo rritje nuk ka mjaftuar për përmirësim të mjaftueshëm në raport me sfidat kryesore të ekonomisë tonë, ajo ka siguruar në masë të madhe stabilitet të nevojshëm për sektorin bankar.

Gjithashtu, faktor tjetër i rëndësishëm për rënie të nivelit të normës së kredive joperformuese është edhe avancimi i Ligjit për Procedurën Përmbarimore dhe funksionalizimi i përmbaruesve privatë ka lehtësuar në masë të madhe zbatimin e kontratave për bankat, duke mundësuar bankat rikthimin e një pjese të konsiderueshme të kredive të vjetra jopërformuese, si dhe dekurajimin e paraqitjes së kredive të reja jopërformuese”.

Në takimin e Guvernatorëve, u bënë prezantime nga Nicolas Veron nga Instituti për Ekonomi Ndërkombëtare lidhur me kreditë joperformuese: mësimet nga përvoja e vendeve të Evropës dhe prezantimi nga zëvendësguvernatori i Bankës së Kroacisë, Vedran Sosic, lidhur me sfidat e ekonomive të ndërlidhura me normalizimin e politikave monetare. /Telegrafi/

Exit mobile version