Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, do të marrë pjesë në takimet e rregullta pranverore vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Bankës Botërore (BB), të cilat do të zhvillohen në Uashington nga data 16-22 prill 2018.
Përveç pjesëmarrjes në sesionin plenar të FMN-së dhe BB-së, Guvernatori Mehmeti pritet të marrë pjesë edhe në mbledhjet e Konstituencës për Evropën Qendrore dhe Lindore në FMN dhe të Konstituencave përkatëse të Fondit Monetar dhe Bankës Botërore.
Gjithashtu Mehmeti do të zhvillojë takime me zyrtarë të Departamentit të Thesarit Amerikan, homologë të bankave nga vende të ndryshme, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare, shkruan Telegrafi.
Në delegacionin e Kosovës që do të marrë pjesë në këto takime, e që kryesohet nga ministri i Financave, Bedri Hamza, nga BQK-ja përveç Guvernatorit Mehmeti është edhe Kryetari i Bordit të BQK-së, Flamur Mrasori.
Këto takime të Bordeve të Guvernatorëve të FMN-së dhe BB-së sjellin së bashku në këto aktivitete, guvernatorë, bankierë qendrorë, ministra të financave dhe zhvillimit, parlamentarë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile dhe akademikë për të diskutuar çështje të shqetësimeve botërore, përfshirë perspektivën ekonomike botërore, çrrënjosjen apo eliminimin e varfërisë, zhvillimin ekonomik dhe efektivitetin e ndihmës përmes fondeve dhe asistencave. /Telegrafi/