Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili i shoqëruar nga zëvendësguvernatori Dardan Fusha ka takuar ambasadorin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
BQK njofton se Szunyog te kanë informuar lidhur me zhvillimet kryesore në sistemin financiar, avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative, si dhe mbi qëndrueshmërinë dhe integritetin e sistemit financiar të vendit.
Me theks të veçantë, Guvernatori Ismaili e informoi Ambasadorin Szunyog lidhur me veprimet e ndërmarra nga BQK-ja për anëtarësim në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke përfshirë hartimin e kuadrit ligjor të nevojshëm, që financohet nga Bashkimit Evropian dhe zbatohet nga Banka Botërore si pjesë e një projekti rajonal.
“Guvernatori Ismaili potencoi se hyrja e Republikës së Kosovës në sistemet e BE-së do të lehtësonte tregtinë dhe do të kontribuonte në krijimin e një sistemi efikas, të sigurt dhe më të integruar të pagesave, që do t’i shërbente nevojave vendit tonë për rritje ekonomike”, theksohet në komunikatë.
Gjatë këtij takimi, ambasadori Szunyog tha se BE-ja mbetet e përkushtuar të mbështesë rrugën e Kosovës dhe BQK-në në plotësimin e kushteve ligjore dhe teknike për anëtarësimin në SEPA, si elemente kyç edhe për Planin e Rritjes, si dhe integrimin e vendit tonë në familjen evropiane dhe përfitimet prej saj.
Në fund, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e BQK-së për mbështetjen e treguar nga ana e BE-së për sistemin financiar dhe ekonominë e Kosovës, përmes programeve të shumta të mbështetjes financiare nga institucionet e Bashkimit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane./Telegrafi/