Site icon Telegrafi

Guvernatori Hamza kryesoi takimin e programit të bashkëpunimit teknik me BQE-në

Në kuadër të programit të bashkëpunimit teknik të Bankës Qendrore Evropiane (BQE) me bankat qendrore të regjionit të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Banka Qendrore e Kosovës, sot në selinë e BQE-së në Frankfurt është realizuar mbledhja e radhës e Komitetit drejtues të programit.

Kjo mbledhje u kryesua nga Bedri Hamza, guvernator i BQK-së, dhe në të ishin pjesëmarrës edhe përfaqësues të bankave qendrore të regjionit, të BQE-së dhe të bankave qendrore kombëtare partnere të saj si dhe të Komisionit Evropian.

Në takim u prezantua dhe u diskutua ecuria e deritanishme e programit, e cila u konsiderua e suksesshme nga të gjithë pjesëmarrësit. Po ashtu u prezantuan hollësitë e periudhës së ardhshme të programit, ku vlen të theksohet fillimi i periudhës gjashtë-mujore të implementimit në relacion me BQK-në në fillim të muajit të ardhshëm.

Në lidhje me këtë guvernatori i BQK-së theksoi se BQK-ja është plotësisht e gatshme për realizimin e aktiviteteve të parapara për këtë periudhë të programit dhe se, pos rekomandimeve dhe njohurive teknike, BQK-ja nga vazhdimi i programit pret edhe forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve me bankat qendrore të vendeve të Bashkimit Evropian dhe avancimin e bashkëpunimit të përgjithshëm.

Programi i bashkëpunimit teknik të BQE-së me bankat qendrore të regjionit të Ballkanit Perëndimor ka nisur zyrtarisht më 17 prill dhe ka për qëllimin përgatitjen e bankave qendrore të vendeve të regjionit për inkuadrim në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ). Ai do t’i ofrojë BQK-së përcaktimin e ndryshimeve në kuadër të përgatitjes për t’iu bashkuar SEBQ-së deri në momentin kur Republika e Kosovës të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

Programi do ta forcojë kapacitetin institucional të BQK-së duke identifikuar kërkesat ligjore, organizative dhe të resurseve për të arritur përputhshmërinë me kornizën standarde institucionale dhe operacionale të SEBQ dhe BQE.

Pos pjesëmarrjes në mbledhjen e Komitetit drejtues të programit të bashkëpunimit teknik të BQE-së me bankat qendrore të regjionit të Ballkanit Perëndimor, guvernatori i BQK-së gjatë vizitës në selinë e BQE-së u takua edhe me Sabine Lautenschlaeger, anëtare e Bordit të BQE-së, dhe Frank Moss, Drejtor Gjeneral për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Evropiane të BQE-së. /Telegrafi/

Exit mobile version