Guvernatori i Bejrutit, Marvan Abud, ka zbuluar se nga 200 deri në 250 mijë qytetarë kanë mbetur pa shtëpi si pasojë e shpërthimi të fuqishëm që ndodhi gjatë të martës pasdite në kryeqytetin e Libanit.
Gjatë një interviste dhënë për televizionin lokal MTV, Abud tha se ekipet e shpëtimit kanë dalë në teren dhe po punojnë pa ndërprerë për të shpërndarë edhe ushqim e ujë për ata qytetarë që kanë mbetur pa kulm mbi kokë, transmeton Telegrafi.
Gjithashtu ka theksuar se vlera e dëmeve materiale nga shpërthimi i fuqishëm, sillet nga tre deri në pesë miliardë dollarë.
E përveç shtëpive që janë shkatërruar afër vendit ku ndodhi shpërthimi, ka edhe shumë tjera që janë dëmtuar pjesërisht nga detonimi, duke mbetur pa dritare, dyer e kulme.
Kujtojmë që nga shpërthimi në një depo të mbushur me materie kimike, kanë humbur jetën mbi 150 qytetarë dhe 4.500 tjerë janë lënduar. /Telegrafi/