Telegrafi

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë flet për buxhetin: Rrezik i veçantë nga borxhi, energjia dhe pensionet

Me një buxhet të madh, vijnë edhe përgjegjësi të mëdha. Përballë pasigurive që mund të rrezikojnë shëndetin ekonomik të vendit, Banka e Shqipërisë fton qeverinë të bëjë kujdes me mënyrën se si do të shpenzohen paratë e taksapaguesve shqiptarë vitin e ardhshëm.

Gjatë dëgjesës në Komisionin e Ekonomisë, guvernatori i bankës, Gent Sejko sugjeroi shtimin e fondit rezervë në buxhet dhe monitorimin e vazhdueshëm të sektorit energjetik dhe realizimit të buxhetit, për të ndërhyrë në kohë pa rrezikuar rritjen e deficitit.

Ndërsa harmonizimi i politikave që merr banka qendrore dhe atyre që ndërmerr qeveria, sipas Sejkos është ilaçi i vetëm për krizën.

Duke parë nga e ardhmja dhe kostot gjithmonë e më të mëdha për të mbuluar gropën e pensioneve, guvernatori sugjeroi gjithashtu reformimin e skemës së sigurimeve shoqërore.

Banka e Shqipërisë identifikon si rrezik potencial edhe programin e partneritetit publik-privat.

Ashtu sikur janë shprehur më herët edhe partnerët ndërkombëtarë, banka sugjeron vendosjen e një limiti për vlerën e përgjithshme të PPP-ve, përzgjedhjen me kujdes të projekteve sipas programit strategjik të investimeve dhe një monitorim më të kujdesshëm të tyre. /A2 CNN/