Site icon Telegrafi

Gutierrez për vendimin ndaj Klan Kosovës: Ndërhyrje e qartë e qeverisë në punën e mediave

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, tha se vendimi i MINT-it për suspendimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova nuk i prek vetëm gazetarët dhe pronarët e mediave në Kosovë, por edhe të drejtën e qytetarëve për të pasur qasje në informata.

“I afekton të gjithë gazetarët dhe të gjitha mediat në Kosovë dhe prandaj organizatat ndërkombëtare që i përfaqësojnë gazetarët, por edhe punëtorë të mediave dhe organizata për lirinë e shprehjes kanë reaguar, prandaj ne reaguam. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Klan Kosovën, ka të bëjë me lirinë e informimit, kjo nuk ka të bëjë vetëm me media dhe gazetarë profesionistë, ka të bëjë me të drejtën e qytetarëve të Kosovës që të kenë qasje në informata. Pra ajo që po sfidohet këtu është e drejta e çdo qytetari në Kosovë, prandaj ne e konsiderojmë këtë si një rast shumë serioz dhe do ta ndjekim nga afër situatën dhe do të reagojmë shumë fuqishëm nëse ka vendim të qeverisë që ta suspendojë përsëri, apo të tentojë ta mbyllë Klan Kosovën”, tha Gutierrez në Rubikon të Klan Kosovës.

Ai tha se ky vendim i MINT-it është ndërhyrje e qartë nga qeveria në punën e një transmetuesi privat.

“Është e qartë se kur e suspendoni, apo anuloni certifikatën e biznesit të një medie, pasoja e drejtpërdrejt është mbyllja e asaj media. Nëse je media private nuk mund të mbijetosh pa certifikatën e biznesit, pra është ndërhyrje e qartë nga qeveria, nga autoritetet në operimin e një transmetuesi privat. Ky është një sulm, është një shkelje e lirisë së medias dhe prandaj reaguam ne dhe nuk ishim të vetmit, siç e përmendët edhe ju edhe organizata tjera të lirisë së shprehjes nëpër botë reaguan, kjo është shumë serioze dhe prandaj në reaguam dhe do të vazhdojmë ta përcjellim këtë rast nga afër”, potencoi Gutierrez.

Gutierrez ka folur edhe mbi vendimin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave në ARBK për shtyrjen e afatit për marrjen e vendimit rreth ankesës së Klan Kosovës lidhur me pezullimin e certifikatës së biznesit.

Ai tha se shpreson se vendimi për shtyrje të afatit është vetëm kërkesë administrative.

“Vendimi për ta shtyrë mund të jetë diçka e arsyeshme do të thosha, nëse u duhet që t’i analizojnë dokumentet të cilat i keni dërguar ju, përse jo? Nuk e shoh si diçka problematike. Tani e di nga filiali ynë në shtetin tuaj AGK, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, se ju i keni mbledhur të gjitha dokumentet e nevojshme për të konfirmuar validitetin e certifikatës së biznesit tuaj. Pra nuk shoh ndonjë rrezik për ju që të përballeni me vendimin e mbylljes së plotë të operimit të kanalit tuaj televiziv”, tha Gutierrez.

Megjithatë, ai tha se nëse ky komision e refuzon ankesën e Klan Kosovës, organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias do ta shohin si përpjekje për ta sulmuar lirinë e medias në Kosovë.

“Jam pak i merakosur, sepse nëse i keni dërguar të gjitha dokumentet e nevojshme, nuk e kuptoj përse u duhet kaq shumë kohë vetëm të konfirmojnë validitetin e certifikatës tuaj të biznesit. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim këtë rast nga afër, do të reagojmë ashpër nëse merret vendim kundër televizionit nga qeveria, ne do ta dënojmë, do ta shohim si përpjekje shumë të madhe për ta sulmuar lirinë e medias në shtetin tuaj dhe siç thash, unë e shoh këtë si plotësisht kundër standardeve evropiane mbi lirinë e medias dhe operimin e lirë të kanaleve televizive, të transmetueseve, pra po, nuk e shoh situatën aktuale si shqetësuese, por do ta ndjekim rastin nga afër dhe do të reagojmë nëse ka vendim të vendosjes së presionit në çfarëdo mënyre ndaj kanalit televiziv. Ne vërtetë besojmë se qeveritë nuk duhet të ndërhyjnë në funksionimin e kanaleve televizive”, deklaroi Gutierrez.

Exit mobile version