Site icon Telegrafi

Guterres: Politikanët në Maqedoni të vazhdojnë me zbatimin e marrëveshjes me Greqinë

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, pas referendumit të ditës së diel në Maqedoni, ju bëri thirrje politikanëve të vazhdojnë me zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.

Ai tha se ka mbajtur shënim rezultatet e referendumit konsultues të organizuar në Maqedoni, duke e konsideruar të rëndësishëm nivelin jashtëzakonisht të lartë të atyre që votuan “pro” marrëveshjes për një emër të ri për vendin, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Guterres nxit të gjitha forcat politike të vendit t’i japin vazhdimësi këtij referendumi nëpërmjet institucioneve të vendit. Fakt është që shumica e atyre që votuan në referendum e mbështetën Marrëveshjen e Prespës”, theksohet në një komunikatë të OKB-së.

Më tej thuhet se OKB-ja, që lehtësoi marrëveshjen e arritur në fillim të verës për një emër të ri mes Greqisë dhe Maqedonisë, mbetet në dispozicion për të dhënë gjithë mbështetjen e nevojshme për një zgjidhje të kësaj dosjeje me ndërmjetësimin e të dërguarit të saj apo organizmave, fondeve dhe programeve të Kombeve të Bashkuara./Telegrafi/

Exit mobile version