Njëra anë e rrugës para shkollës së mesme të mjekësisë “Dr. Ali Sokoli”, në Prishtinë, tek rrethi në hyrje të kryeqytetit, është bllokuar gati në tërësi sot nga një sasi e gurëve të vegjël që janë derdhur nga një kamion.
Megjithatë, rruga nuk është pastruar gjatë tërë ditës nga askush.
Kamerat e Kosovapress-it kanë xhiruar pamjet në orët e pasdites, derisa veturat që kalonin në atë rrugë, një gjë të tillë e bënin me vështirësi.
Duket se gurët janë derdhur nga kalimi i ndonjë kamioni i cili i barte ato, dhe me të cilat do të duhej të merrej vetë transportuesi. Papërgjegjësia e transportuesve që kalojnë përbrenda kryeqytetit sjell edhe këto pamje.
Sipas ligjeve në fuqi në shumë qytete evropiane, shkarkimi me dhe pa dashje i mbetjeve dhe materialeve të ndryshme në rrugët e qyteteve dënohen me ligj me gjoba e bilës edhe me dënime të llojit heqje e licencës për kompanitë transportuese apo firmat të cilave u përkasin ato.