Site icon Telegrafi

“Gülistan” në Kosovë: Ndalimi dhe ekstradimi i zyrtarëve është bërë në kundërshtim me ligjet e Kosovës”

Qendra Edukative “Gülistan” në Kosovë ka reaguar edhe sot për arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq njëherësh zyrtarë në këtë qendër.

Ata përmes një komunikate për media thanë se të ndaluarit posedojnë dokumente të qëndrimit të ligjshëm në Kosovë, dhe shtuan se ndalimi dhe ekstradimi i zyrtarëve është bërë në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

“Mu për këtë presim nga organet dhe institucionet relevante të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin masat e duhura në lidhje me këtë veprim të paligjshëm”, thuhet në komunikatën nga Gulistan.

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë:

Sot me datën 29 Mars, kolegji “Mehmet Akif” u trondit me një ngjarje të pa precedencë që rezultoi me ndalimin e paligjshëm dhe më pas sipas raportimeve të mediave, në ekstradimin e paligjshëm në Turqi të zyrtarëve dhe udhëheqëve të saj në Kosovë. Ngjarja e tillë indinjoi stafin tonë, nxënësit dhe prindërit tanë.

Fillimisht dëshirojmë të theksojmë dhe informojmë opinionin e gjerë që të gjithë të ndaluarit, si dhe gjithë stafi ndërkombëtar i kolegjit “Mehmet Akif” posedon dokumente të qëndrimit të lijghsëm në Republikën e Kosovës. I gjithë dokumnentaiconi është në dispozicion për institucionet relevante, mediat dhe publikun e gjerë. Në këtë kontekts dëgjuam me vëmendje raportimet në media se vendqëndrimi i zyrtarëve të ndaluar qenka revokuar nga një vendim i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Na lejoni të përmendim se në rast të tillë, legjislacioni në fuqi në Republikën e Kosovës, përkatësisht, pika 3 e nenit të 6-të të Ligjit për të Huaj, parasheh të drejtën e ankesës në gjykatën kompetente, e drejtë që iu mohua arbitrarisht personelit tonë. Me fjalë të tjera, ndalimi dhe ekstradimi i zyrtarëve është bërë në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës. Mu për këtë presim nga organet dhe institucionet relevante të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin masat e duhura në lidhje me këtë veprim të paligjshëm.

Gjithashtu e vlen të theksohet se ekstradimi i kuadrit tonë bëhet në kohën kur shtetet perëndimore dhe evropiane me renome si Gjermania, Holanda, Franca, Suedia, Austria, Belgjika, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada kanë marrë në mbrojtje ligjore dhe politike personelin e shkollave të të njëjtit rrjet për shkak të frikës së persekutimeve, torturave dhe rrezikimit të jetës së të njëjtave në Turqinë e sotme të trazirave. Kjo ngjason me persekutimet të cilat popullata e Kosovës i ka përjetuar gjatë viteve të 90-ta nga regjimi i aparteidit dhe mbështetjes dhe mbrojtjes e cila iu është dhënë popullit të Kosovës nga po të njëjtat shtete. Për këtë konsiderojmë se ekstradimi i tillë është në kundërshtim  të plotë me vlerat evropiane të Kosovës, aspiratat e saj për integrimeve veri-atlantike. Për më tepër, ësthë edhe shkelje e Kartës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që është kusht i anëtarësimit në Këshillin e Evropës, për të cilin Kosova sot aspiron. Si i tillë, është hap i dëmshëm për të ardhmen e Kosovës dhe fëmijëve të saj, që janë nxënësit tanë”.

“Së fund dëshirojmë të ripërsërisim misionin e shkollave tona: që së bashku të rrisim gjeneratat e reja, ndërtojmë kuadro të afta për të shpier Kosovën  drejt botës së civilizuar, drejt një të ardhmeje evropiane. Duke qenë në Kosovë, që nga viti 1999, kemi përjetuar së bashku të gjitha sfidat dhe të arriturat që ka kaluar Kosova nëpër këto vite. Si të tillë kemi kontribuar në arsimin e rinisë së Kosovës, zhvillimin e kuadrove të reja si dhe përfaqësimin e denjë të nxënësve tanë, shtetas të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Për këtë dëhsmojnë medaljet e sumta të fituara nga nxenëesit tanë të cilat mund të vrojtohen në faqen tonë të internetit: http://www.mackkosova.com.

Edhe përkundër rastit të fundit, që shpresojmë të jetë i izoluar, ne vrullshëm dhe me përkushtim do të vazdhojmë punën tonë në arsimimin e gjeneratave evro-atlantike të të rinjve të Kosovës drejt një të ardhmeje të përbashkët me botën e civiziluar. Nga ky qëllim kthim prapa nuk ka.

Falënderojmë të gjithë miqtë tanë që nga prindërit dhe nxënësit tanë, mediat, deputetët, qeveritarët, popullin e Kosovës për mbështetjen e dhënë. Vetëm së bashku dhe me përkrahjen tuaj mund ta tejkalojmë këtë sfidë. /Telegrafi/

Exit mobile version