Telegrafi

Gül: Do të ndihmojmë njohjen e Kosovës nga vendet islamike

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë për njohjen sa më të gjerë të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gül, duke premtuar se do të vendi i tij do të vazhdojë të organizojë kontakte miqësore midis Kosovës dhe vendeve nga të cilat kërkohet njohja. “Fokusim yni do të jenë sidomos vendet islamike”, ka premtuar presidenti turk.

Ndërkaq Krasniqi ka thënë se Republika e Kosovës dëshiron të thellojë marrëdhëniet me Republikën e Turqisë në të gjitha fushat, si partner strategjikë, në dobi të interesave reciproke, të miqësisë midis dy popujve tanë dhe të bashkëpunimit e të paqes në rajon.

Ai po ashtu ka kërkuar nga presidenti turk që, Turqia si një vend i madh dhe me kredibilitet të lartë ndërkombëtar, të ndikojë të miqtë e saj të shumtë, sidomos në botën islamike, për njohjen sa më të shpejtë dhe më të gjerë të Republikës së Kosovës, për t’ i bërë të mundur kështu hyrjen e saj në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara dhe në organizata të tjera politike e financiare ndërkombëtare.

Delegacioni nga Kosova, të cilit i ka prirë kryeparlamentari Krasniqi është takuar edhe me kryeministrin e Turqisë, Tayyip Erdoğan dhe kryetarin e Parlamentit turk, Koksal Toptan, nga të cilët po ashtu kanë marrë garanci se shteti turk do të angazhohet për të ndihmuar Kosovën në të gjitha sferat, sidomos rreth njohjes së mëtutjeshme të saj dhe zhvillimit ekonomik.

Përveç takimeve me krerët me te larte te institucioneve te Republikës se Turqisë delegacioni i Kosovës është takuar edhe me përfaqësues te shoqatave te shqiptareve ne Ankara si dhe me komunitetin shqiptar qe jetojnë dhe veprojnë ne Ankara dhe me gjerë në Turqi. /Telegrafi/