Telegrafi

Guiness “ia merr” titullin, qenit më të vjetër ndonjëherë

Rekordet Botërore Guiness (GWR) kanë njoftuar se i kanë larguar titullin e qenit më të vjetër Bobit i cili supozohet të ishte 31 vjeç kur ka ngordhur në tetor të vitit 2023.

Mark McKinley, drejtor i të dhënave në GWR, tha se titulli i Bobit ishte larguar pas një hetimi.

“Pas shqetësimeve të ngritura nga veterinerët dhe ekspertët e tjerë, dhe gjetjeve të hetimeve të kryera nga disa media, ne e ndjenim të rëndësishme që të nisnim një rishikim në të dhënat e Bobit”, tha McKinley.

Drejtori tha se sipas hetimit nuk ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë moshën e Bobit, andaj rekordi nuk do t’i takojë atij.

Bëhet e ditur se, edhe pronari i qenit, Leonel Costa, është informuar për vendimin, ndërsa GWR ende nuk i ka ofruar titullin dikujt tjetër. /Telegrafi/