Pep Guardiola ka thënë se ekipi i tij do ta kërkojë fitoren ndaj Shakhtar Donetskut, teksa tregoi se si është ndjerë duke e shikuar Napolin.
Klubi napolitan ka dominuar Cityn për gjysmë ore, por me t’u larguar Faouzi Goulam nga loja me lëndim serioz, ndeshja ndryshoi dhe City fitoi me rezultat 4-2 në San Paolo.
“Unë kam marrë shumë nga ekipi im. Në dy javë, ne kemi mposhtur një ekip fantastik për dy herë dhe 20 minuta ata na masakruan”.
“Unë kam dashur t’i mbyll në krahun e majtë, ku aty e patën Ghoulamin, Hamsikun, Jorginhon dhe Insignen me pasimet e tyre fantastike të shkurtra. Ne kërkuam që t’i zbrapsim, por Pepe Reina ishte i pamposhtur”.
“Unë jam i kënaqur si reaguam pas golit të parë. Para rezultatit 1-1, ne po mbanim posedimin më mirë. Nëse lejoni Napolin të luaj, atëherë ka gjasa të mos dilni nga zona e penaltisë për 90 minuta”.
“Në hapësira të ngushta Napoli është ekipi më i mirë në botë për momentin. Unë e kamk parë karakter të madh pas 2-2 edhe pse Callejon e pati atë rastin, por ne treguam përkushtim”.
“Unë e di se çfarë ekipi kemi mposhtur këtu. Është ekip që kënaqem duke e shikuar. Ata më bënë të vuaj në pjesën e parë. Shpresoj se lojtarët e tyre do të qëndrojnë pa lëndime, sepse futbolli ka nevojë për ekipe si Napoli”.
“Në 20 minutat e parë unë isha duke vuajtur, por në të njëjtën kohë si spektator thashë: Wow, sa bukur po luajnë. Sa mirë për futbollin të shoh ekipe të tilla që sulmojnë dhe krijojnë. Kur kjo ndodh, futbolli është fantastik”.
“Unë kam respekt të madh për Napolin, Sarrin dhe gjithë këtë ekip. Shakhtari po ashtu po luan mirë. Por, ne do të shkojmë në Ukrainë për të fituar dhe Napoli i ka gjasat e veta”, u shpreh Guardiola. /Telegrafi/