Telegrafi

“Guardiola u largua për shkak të Mourinhos”

Guillem Balague, që është dhe autori i biografisë së Pep Guardiolës, ka deklaruar se ish-tekniku katalanas kishte fobi nga Jose Mourinho, ndeshjet El Clasico me të cilin e kishin humbur atraktivitetin për Pep dhe se rivaliteti me portugezin po e bënte atë të humbiste vetëbesimin.

“Nëse flet me Guardiolën për Jose Mourinhon, shumë leht mund të vëresh se gjuha e trupit të tij dhe mënyra se si ai shprehet ndryshojnë plotësisht”.

“Pep s’preferon të flasë, apo të jap deklarata për Mourinhon. Drejtimi i një ndeshje El Clasico si Barcelona – Real Madrid nuk po i jepte më kënaqësi Guardiolës. Mund të them me plot bindje se Mourinho e lëkundi vetëbesimin e tij dhe e destabilizoi deri në atë pikë sa të merrte vendimin për të pushuar një vit nga futbolli”, është shprehur gazetari Balague.

Jose Mourinho dhe Pep Guardiola kanë një rivalitet të madh që prej kohës së portugezit te Interi, kur që pas gjysmëfinaleve epike në Ligën e Kampionëve në asnjë moment nuk u ndalën polemikat dhe konfliktet mes njëri-tjetrit, si brenda ashtu dhe jashtë fushe, gjithnjë të inicuara nga Mourinho.