Pep Guardiola, si gjithmonë, ka folur me modesti pas barazimit të Manchester Cityt kundër Tottenham Hotspur (2-2) në kryendeshjen e javës së dytë në Ligën Premier.
Kampioni ishte dy herë në avantazh, mirëpo Spursat barazuan në të dyja rastet, derisa një gol i Cityt u anulua në minutat shtesë të ndeshjes.
“Zhvilluam lojë të mrekullueshme kundër ekipit të dytë më të mirë në Evropë, finalistit të Ligës së Kampionëve, prandaj jam shumë krenar”.
“Numri i goditjeve që krijuam , ishte mahnitës. Mirëpo, gjithmonë ka rëndësi vetëm rezultati. Do të donim të kishim fituar, sepse djemtë e merituan, por i tillë është futbolli”, ka thënë Guardiola.
Duke e komentuar golin e anuluar të Gabriel Jesus, ai ka thënë: “Deja-vu. Ishte e njëjta! Aksioni i fundit, ne shënuam, ndërsa VAR-i e anuloi. Prandaj, çfarë të them? Herën e dytë, është vështirë, por kështu ndodh. Janë rregullat e reja”. /Telegrafi/