Manchester City ka marrë një tjetër fitore në derbin lokal ndaj Manchester United duke triumfuar në Old Traford me rezultat 0-3.
Erling Haaland me dy gola dhe Phil Foden me një tjetër ishin realizuesit e golave për Citizens në këtë duel.
Pep Guardiola ka folur pas ndeshjes, duke thënë se të fitosh në Old Traford gjithmonë është e bukur.
“Të luash në këtë stadium fantastik Old Trafford e të fitosh është shumë bukur. Në 10 minutat e para humbëm topa të thjeshtë dhe kjo ishte e rrezikshme. Pastaj pas golit të dytë ne e qarkulluam mirë topin dhe mund të kishim shënuar më shumë gola. Goli i dytë na ndihmoi për të qenë më të qetë dhe më të përsosur”, tha Pep.
Erling Haaland kishte mundësi të shënonte het-trik, por ai vendosi të asistoj te Phil Foden i cili realizoi për 0-3, derisa Pep e vlerësoi norvegjezin.
“Kjo do të thotë se sa altruist është Haaland. Është një djalë që dëshiron të shënojë gola, por nëse ka mundësi të pasojë e bën atë. Erling pati një shans të jashtëzakonshëm në fundin e pjesës së parë dhe Onana bëri një pritje të jashtëzakonshme. Ata patën një rast me McTominay dhe Ederson bëri një pritje të shkëlqyer, por në pjesën e dytë, pas golit të dytë, ne ishim në maksimumin tonë”, vazhdoi tutje Guardiola.
Krejt në fund Guardiola tha se nuk kanë bërë ndonjë gjë shtesë për ta poshtëruar rivalin e tyre lokal.
“Manchester United gëzon shumë kur na mund, kështu që është normale për ne që të kënaqemi duke i mposhtur. Shikoni si ishte sot për Sir Bobby Charlton. ‘Old Trafford’ ishte i mrekullueshëm”.
“Ne respektojmë historinë dhe traditën dhe kemi fituar shumë në dekadën e fundit. Ne nuk bëmë ndonjë gjë shtesë për të poshtëruar kundërshtarët. Ishte gjithmonë e kundërta dhe kjo është arsyeja pse jam shumë krenar për klubin që përfaqësoj”, u shpreh trajneri katalunas. /Telegrafi/