Futbollistët që nuk u kualifikuan në Kupën e Botës me kombëtaret e tyre do të kenë një pushim njëmujor në mes të sezonit këtë dimër.
Njëri prej tyre është Erling Haaland, i cili e hapi sezonin në klubin e tij të ri Manchester City me 22 gola në 15 paraqitje.
Norvegjezët nuk u kualifikuan në Kupën e Botës, ndaj sulmuesi 22-vjeçar do të pushojë nga mesi i nëntorit deri në mes të dhjetorit kur do të rikthehet në stërvitje në Mançester.
Trajneri i Cityt, Pep Guardiola, tha se është i shqetësuar për këtë pushim të papritur për lojtarët, por edhe se shpreson që Haaland të jetë po aq vdekjeprurës pas pushimit si në fillim të sezonit.
“Kam biseduar me lojtarët, Haaland më tha se do të pushojë në Marbella dhe Norvegji. Se si do të luajë në pjesën e dytë të sezonit varet nga mënyra se si do të sillet në Marbella”.
“Ai do të luajë golf atje dhe shpresoj të mos hajë dhe të pijë shumë dhe se ai do të kthehet në klub në formën më të mirë”, ka thënë Guardiola. /Telegrafi/