Site icon Telegrafi

“The Guardian” zbulon planet e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit (Video)

“Agjentët dhe diplomatët rusë janë përpjekur prej gati një dekade të përhapin propagandën e Moskës e të shkaktojnë destabilizim në Ballkan, e sidomos në Maqedoni”, shkruan “The Guardian”, duke cituar për këtë pohim të sajin, dokumente sekrete të shërbimit rus të inteligjencës, të cilat kanë rënë në duart e gazetës prestigjioze.

Dokumentet u zbuluan fillimisht nga Organizata Botërore për Raportimin e Korrupsionit (OCCRP), që e ka ndarë më pas informacionin me “The Guardian”, transmeton TCH.

Gazeta shkuan se këto dosje dokumentojnë faktin që shërbimi sekret rus, në bashkëpunim me serbët, ka punuar në mënyrë aktive për destabilizimin e rajonit.

Fokusi shumëvjeçar i tyre ka qenë në mënyrë të veçantë Shkupi, ku sipas transkripteve të botuara nga e përditshmja britanike, prej vitesh po punohet me metoda të ulëta që të krijohet konflikt etnik dhe politik, me qëllimin të vonohet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO.

Dokumentet tregojnë se Moska i ka shtuar tentativat për ndikim në shtetet e ish-Jugosllavisë. Qëllimi kryesor i Kremlinit është të ndalohet bashkimi i këtyre vendeve me aleancën atlantiko-veriore dhe të mbahen sa më larg ndikimit të Perëndimit.

Aty tregohen edhe përpjekjet e inteligjencës serbe për të mbështetur nacionalistët prorusë dhe antiperëndimorë në Maqedoni. Operacionet për rritjen e ndikimit rus nisën në vitin 2008, kur Greqia bllokoi përpjekjet e Shkupit për anëtarësim në NATO, pas mosmarrëveshjeve të emrit.

“Kremlini, – thuhet në njërin prej dokumenteve të zbuluara nga shërbimet maqedonase të inteligjencës, – synon të kontrollojë burimet strategjike të energjisë përmes partneritetit me shtetet e Ballkanit dhe kërkon po kështu ta kthejë Maqedoninë në varësinë e tij”.

Dosjet tregojnë edhe sesi funksionon rrjeti i agjenturës. Tri agjentë të shërbimit të jashtëm sekret rus “SVR” janë të vendosur në Shkup dhe mbikëqyren nga stacioni i këtij shërbimi në Beograd. Ambasada e Rusisë në Maqedoni ka në radhët e saj 4 agjentë të “GRU”-së, agjencia ushtarake ruse e inteligjencës. Veprimet e tyre koordinohen nga baza e “GRU”-së në Sofje.

Exit mobile version