Guardian ka publikuar një artikull me 10 destinacionet turistike që këtë vit do të zgjidhen për të pushuar nga britanikët ku Shqipëria renditet e treta, pas Nepalit dhe Afrikës së Jugut, duke lënë pas vende si Bullgaria, Kolumbia apo edhe Serbia.
“E ndodhur pranë Britanisë së Madhe dhe jashtë BE-së, Shqipëria është një mundësi e shkëlqyer për udhëtarët e pavarur. Ka vargmale spektakolare, qytete të lashta dhe një shtrirje të shkëlqyer bregdetare të paprishur të Adriatikut. Shqipëria ka edhe një monedhë të qëndrueshme.
Ajo që do të gjeni në Shqipëri është një vend i pazakontë me kosto të ulët dhe pa turizëm mase. Ju mund të udhëtoni në Bjeshkët e Namuna, të ndiqni gjurmët e “Rrugës Egnatia”, rruga e vjetër romake që dikur lidhte Adriatikun me Detin e Zi.
Urat dhe rrugët me kalldrëm kanë mbetur të pandryshuara që prej më shumë se 2000 vjet”, kështu e përshkruan Shqipërinë prestigjiozja britanike.
Sipas Guardianit, rreth 41 për qind e britanikëve do të ndryshojnë këtë vit planet për të pushuar, për shkak të zhvlerësimit të sterlinës. Aktualisht paundi është në nivelin e vitit 2013 kundrejt euros.
“Britanikët, duket se do të zgjedhin të pushojnë kudo nëpër botë, por nuk ka asnjë dyshim që 2017-a do të jetë viti i Europës Juglindore”, thotë drejtuesi i uebit Travelzoo, Joel Brandon-Brown.
Nga ana tjetër, agjencitë e turizmit konfirmojnë se ka një rritje të prenotimeve online, si dhe për ture individuale. Kërkesa në rritje ka edhe për destinacione si: Portugalia, Greqia por edhe për Kroacinë. /mapo/