Guardia di Finanza konfirmoi uljen drastike të kultivimit të kanabisit në Shqipëri. Raporti i misionit të monitorimit ajror për vitin 2017-të u prezantua në prani edhe të ministrit të Brendshëm italian, Marco Minniti, i cili ndodhej në Tiranë në një vizitë zyrtare.
“Në këtë vit kemi kryer fluturime në 23.77% të territorit shqiptar në zona me risk ku mund të kultivohej kanabis. Kemi kryer 53 misione ajrore ose e thënë ndryshe 129 orë fluturimi. Në 2016 konstatuan rreth 2 mijë plantacione me më shumë se 700 mijë rrënjë ndërsa për 2017-ën, pra këtë vit janë konstatuar 88 plantacione me rreth 5 mijë rrënjë. Reduktimi është i dukshëm”, tha Stefano Skrepanti, shef i repartit 3 të Guardia di Finanza.
Zyrtarët e lartë italian vlerësuan bashkëpunimin me homologët shqiptar si dhe raportuan edhe për rritjen e sasisë së kanabisit shqiptar të sekuestruar në operacione të përbashkëta.
“Ushtarakët tanë këtu në Shqipëri bashkëpunojnë shumë mirë me policinë shqiptare. Operacionet tona në det kanë dhënë rezultate konkrete të cilat duhen vlerësuar. Vjet sekuestruam 22 tonë kanabis, ndërsa për këtë vit kemi rreth 33 ton, 66 % më shumë”, u shpreh Giorgo Toschi, komandant, Guardia di Finanza. /Telegrafi/