Telegrafi

Guajana zyrtarizon njohjen e Kosovës

Vendimin për njohjen e Kosovës, Qeveria e Guajanës e ka marrë në mars të këtij viti, ndërsa vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve ka formalizuar dhe zyrtarizuar këtë njohje.

Gjatë qëndrimit në Xhorxhtaun, përveç takimit me homologen Rodrigues-Birkett, Hoxhaj u prit edhe nga presidenti i këtij shteti, Donald Ramotar.

Gjatë takimeve është shprehur përkushtimi i dy shteteve për fuqizimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve ndërmjet Kosovës dhe Guajanës, thuhet në një kumtesë të MPJ-së.

Rodrigues-Birkett tha se vendimi për njohjen e Kosovës ka qenë i pashmangshëm, i drejtë dhe se është mirënjohje për të kaluarën dhe vuajtjet e popullit të Kosovës. Ndërsa, Ramotar ka thënë se njohja e Kosovës ka qenë e domosdoshme dhe është në përputhje me parimet dhe orientimet e politikës së jashtme të Guajanës.

Guajana është shtet anëtar i Komunitetit të Karaibeve (CARICOM) dhe në kryeqytetin e saj, Xhorxhtaun, ndodhet selia e sekretariatit të kësaj organizate. /Telegrafi/