Telegrafi

GTZ ndihmon Komisionin për Buxhet dhe Financa

Udhëheqësi i takimit, njëherësh zëvendëskryetar i parë i Komisionit, Naser Osmani, duke shprehur falënderimin e thellë për kontributin që GTZ-ja po jep në bërjen e ligjeve dhe avancimin e punës së Komisionit, theksoi se Komisioni gjendet në fazën kur i nevojitet mbështetje, sidomos në hartimin e legjislacionit.

Osmani tha se gjatë këtij viti Komisioni do të procedojë në Kuvend rreth 15 ligje bazike dhe në këtë proces ndihma konkrete e GTZ-së është mëse e nevojshme.

Duke i njohur përfaqësuesit e GTZ-së me vëllimin e madh të punëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa, Osmani tha se ky është komisioni kryesor i Kuvendit të Kosovës, dhe si i tillë, përballet edhe me vështirësi gjatë punës së tij, për të cilat folën edhe anëtarë të tjerë të Komisionit.

Udhëheqësja e GTZ-së për Evropë, Azi, Lindje të Mesme dhe Afrikë, Mary Schafer, theksoi se Kosova, si shteti më i ri në botë, është në fokusin e saj, ndërkaq që ndihma për Komisionin për Buxhet dhe Financa mbetet projekti i rëndësishëm për institucionin që ajo udhëheq.

Duke shprehur gatishmërinë e GTZ-së për të vazhduar ndihmën për Komisionin, Schafer u interesua për një varg çështjesh që lidhen me të, për të cilat u njoftua nga zëvendëskryetari i Komisionit dhe anëtarët e tjerë të tij.

Osmani theksoi se përparësia e Kosovës është se ajo po harton ligje të reja duke marrë praktikat më të mira ndërkombëtare, në përputhje me legjislacionin e BE-së.