Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka prezantuar përfundimet nga studimi mbi temën “Kush po e përcakton agjendën e bisedimeve”, në të cilën janë paraqitur të dhëna mbi idenë e korrigjimit dhe shkëmbimit të territorit në mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky grup nëpërmjet këtij studimi paraqiti rrezikun që paraqet ideja për korrigjim dhe shkëmbim të territorit në relacion me shtetësinë e Kosovës.
Ai vë në pah pasojat që kjo ide mund të shkaktojë në legjitimitetin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës, dhe se si një agjendë e këtillë konteston versionin dhe modelin aktual të shtetësisë.
Hulumtuesi i grupit për studime juridike, Përparim Kryeziu, ka thënë se është karakteri ndëretnik që i ka ofruar Kosovës përkrahjen ndërkombëtare.
Sipas tij, diskutimi për këtë çështje mund të na dërgojë drejt një kompromisi të dhimbshëm.
Ai shtoi se Kosova nuk guxon në asnjë rrethanë të pranojë çfarëdo formë tjetër të njohjes nga Serbia përveç njohjes formale faktike dhe vetëm kjo i lejon anëtarësimin në organizatat kryesore ndërkombëtare.
“Çdo formë tjetër përpos njohjes faktike nuk ia mundëson Kosovës anëtarësimin në organizatat kryesore ndërkombëtare dhe çdo formë tjetër e cila ka një lloj dy kuptimësie të interpretimit nuk i siguron Kosovës njohjen nga shtetet që kanë ngurruar ta bëjnë atë deri më tash“, tha ai.
Kryeziu shtoi se Kosova e Serbia janë duke u futur në një fazë finale dialogut dhe çfarëdo lloj refuzimi i Kosovës ndaj një marrëveshje mund të cilësohet si sjellje destruktive dhe Kosova të cilësohet në dialog si problem.
Ai shpjegoi se studimi i tyre është bazuar në dokumentet për të drejtën ndërkombëtare. /kp/Telegrafi/