Telegrafi

Gruri i importuar i plotëson standardet për konsum human! (Dokument)

Instituti Bujqësor i Kosovës i cili vepron pranë Ministrisë së Bujqësisë së Kosovës, në kuadër të kompetencave të veta të përcaktuara me Ligjin e Ushqimit Nr 03/L-016 dhe Udhëzimin Administrativ 2003/03, ka autorizimin për kontroll të cilësisë së inputeve bujqësore dhe të ushqimeve të cilat importohen dhe përpunohen në Kosovë. Në këtë kategori përfshihet gruri dhe mielli.

Sipas një njoftimi thuhet se i gjithë gruri i cili importohet në Kosovë, kontrollohet nga inspektorët fitosanitarë të Agjensionit të Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në kufi, ku edhe merren mostrat për çdo ngarkesë.

Më tej shtohet se këto mostra pastaj dërgohen në Institutin Bujqësorë të Kosovës për tu bërë analizat fiziko-kimike, metaleve të rënda dhe mikribiologjike. Kjo bëhet për të konstatuar se produkti në fjalë i plotëson standardet e caktuara për konsum të gjerë.

“Deri më tani, kemi pranuar rregullisht mostrat e grurit nga importi dhe asnjëra nga to nuk ka rezultuar se nuk i plotëson standardet ekzistuese për konsum human. E njëjta vlen edhe për miellin e prodhuar në Kosovë, i cili shpërndahet në Kosovë si dhe mielli i cili eksportohet jashtë vendit. Sa për informimin tuaj, asnjë ngarkesë me produkte ushqimore nuk mund të realizohet pa certifikatën fitosanitare të lëshuar nga AUV i cili gjithmonë i merr vendimet duke u bazuar në raportin e analizave të kryera nga Instituti Bujqësorë i Kosovës”, thuhet në njoftim.

Për më tepër Instituti Bujqësorë i Kosovës, bashkëpunon në vazhdimësi edhe me institutet ndërkombëtare për analiza paralele.

“Kemi përcjellë ditëve të fundit deklarata të ndryshme në media në lidhje me cilësinë e grurit dhe miellit që importohet ose prodhohet në Kosovë, prandaj ju sigurojmë me kompetencë të plotë si organ zyrtar i Republikës së Kosovës se gruri i importuar në Kosovë, si dhe mielli i prodhuar në Kosovë i plotëson të gjitha standarde të nevojshme për konsum”, përfundohet në njoftim. /Telegrafi/