Grupi i Deputetëve të Pavarur, i themeluar dje, pas largimit të disa deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje, ka kërkuar interpelancë të kryeministrit Ramush Haradinaj, për marrëveshjen mes Qeverisë dhe kompanisë “Contour Global”, për projektin e termocentralit “Kosova e Re”.
Dardan Sejdiu, shef i grupit të ri parlamentar, ka njoftuar se sot e ka dorëzuar kërkesën për interpelancë me kryeministrin Haradinaj.
Sipas tij, kjo interpelancë do të hyjë së shpejti në rend të ditës derisa Haradinaj të kthejë përgjigje zyrtare.
“Si grup parlamentar jemi të hapur ndaj të gjithë atyre që kanë ide, këshilla dhe sugjerime në lidhje me këtë çështje që ato pastaj t’i themi edhe në kuvend”, ka thënë Sejdiu.
Ndërkaq, lidhur me kompaninë “Contour Global”, më herët gjatë janarit, kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti, kishte reaguar ashpër, duke thënë se kontrata me Contour Global e vë interesin shtetëror të Kosovës në shërbim të një ndërmarrje të huaj private.
Ai i’u kishte bërë thirrje deputetëve që ta kundërshtojnë atë kur ajo të vijë në Kuvend.
“Askush nga zyrtarët e shtetit të përfshirë në këtë aferë nuk mund ta shpjegoj racionalist se pse Kosova nuk mund të tregoj me pronësi publike investimin me fitimprurës që kemi në dorë dhe sipas kushteve e kërkesave të ekonomisë së saj, por duhet ta bëjë këtë përmes një fondi privat të përzgjedhur pa e ditur shumë kush nga kush”, kishte thënë Kurti. /Telegrafi/