Largimi i Britanisë së Madhe nga BE nuk i ndal përpjekjet e ‘’Grupit të Vishegradit’’ për të përkrahur integrimin e vendeve të Ballkanit në strukturat euro-atlantike, ka thekuar ambasadori çek në Shkup, Miroslav Ramesh, pjesë e këtij grupi, transmeton Telegrafi Maqedoni.
‘’Asgjë nuk ka mbaruar, jeta vazhdon, një vend largohet, por ajo nuk do të thotë se vendi tjetër nuk mund të jetë i pranuar. Prioriteti politik i jashtëm i Republikës Çeke është zgjerimi i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mund të ju bind se do të vazhdojmë që ti përkrahim pa rezervë, ashtu si deri më tani, ambiciet e Maqedonisë për integrim në BE dhe NATO” ka thënë ai.
Ambasadori polak, Jacek Multanowski theksoi se Evropa po ballafaqohet me probleme të vështira dhe se duhet të përqendrohen në tejkalimin e pasojave të Brexit.
“Polonia çdo herë ka qenë përkrahëse e projekteve të hapura që do të thotë ne e përkrahim integrimin e Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian duke përfshirë këtu edhe Maqedoninë’’ ka thënë Multanowski.
Zëvendës kryeministri për çështje evropiane, Arbër Ademi ka theksuar se duhet përpjekje e mëtutjeshme për anëtarësim në familjen evropiane, edhe pas largimit të Britanisë së Madhe.
‘’Vendimi i Britanisë së Madhe për ta lëshuar Bashkimin Evropian nuk duhet të pasqyrohet në politikën për zgjerim të BE, pasi që është e një rëndësie të vendeve të Ballkanit perëndimorë duke përfshirë edhe Maqedoninë të vazhdojnë me reformat e tyre dhe të bëhen pjesë e familjes evropiane’’ ka thënë Ademi.
Këto vlerësime janë bërë me rastin e presidencës polake me grupin e Vishegradit, në të cilin bëjnë pjesë Republika Çeke, Polonia, Hungaria dhe Sllovakia, të cilët janë përkrahës të fortë të politikave të zgjerimit dhe sfidave globale duke përfshirë edhe krizën me refugjatët./Telegrafi/