Telegrafi

Grupi i tifozëve “Dardanët” vizitojnë fëmijët e SOS Fshatit për fundvit, bashkë me ta edhe Babadimri me dhurata (Foto)

Aroma e festave të fundvitit ka arritur në thuajse çdo shtëpi, e ata që po i gëzohen më shumë kësaj feste janë fëmijët.

Një atmosferë e tillë po mbizotëron edhe për fëmijët e braktisur të SOS Fshatit të Kosovës.

Ambienti i tyre është dekoruar bukur për fundvit, ndërsa thuajse çdo ditë po presin mysafirë të veçantë, të cilët po i gëzojnë me dhurata.

Të fundit që vizituan fëmijët e SOS Fshatit, ishin klubi i tifozëve të Përfaqësueses së Kosovës, “Dardanët”, të cilët lumturuan fëmijët me dhurata për fundvit.

Lajmin për vizitën e tyre, e ka bërë të ditur faqja zyrtare e SOS Fshatit në rrjetin social Facebook.

“SOS Fshati i Fëmijëve sot priti tifozët e Kombëtares “Dardanët”. Ashtu si dijnë vetëm tifozët të bëjnë atmosferën, SOS Fshati u kaplua me gëzim dhe tifozllëk për kombëtaren tonë. Ata ishin siguruar që të marrin edhe Babadimrin i cili shpërndau dhurata për secilin. I urojmë kombëtares tonë fitore e shumë suksese në vitin 2018!” (sic.), shkruhet në lajmërimin e bërë nga SOS Fshati.

Ndërkohë, imazhet e publikuara kanë treguar gjithashtu fytyrat e gëzuara të fëmijëve, teksa pranonin dhuratat nga “Dardanët”. /Telegrafi/