Presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi se po tërhiqet nga gara presidenciale duke dhënë miratimin që kandidatja e re për presidente të SHBA-së nga radhët e demokratëve të jetë zëvendëspresidentja e tij, Kamala Harris.
Kamala Harris falënderoi Bidenin për “udhëheqjen e tij të jashtëzakonshme” dhe tha se ajo ishte e nderuar që kishte miratimin e tij për të kandiduar.
“Unë do të bëj gjithçka për të bashkuar Partinë Demokratike dhe për të bashkuar kombin tonë, për të mposhtur Donald Trump dhe axhendën e tij ekstreme të Projektit 2025”, u deklarua Harris e cila menjëherë ka filluar fushatën e saj presidenciale.
Propozimi i Bidenit që Harris të vendoset në krye të SHBA-së ka filluar të ngjallë reagime anembanë botës, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Së fundmi, grupi republikan anti-Trump, Projekti Linkoln, ka publikuar një video duke festuar presidencën e Joe Biden dhe duke mbështetur fushatën e zëvendëspresidentes Kamala Harris.
“Harris”, thuhet në video, “do t’i sjellë Trumpit diçka që ai rrallë e ka parë: drejtësinë”.
“Zëvendëspresidentja Kamala Harris është e gatshme, me përvojë dhe prokurore e ashpër, Kamala Harris është marrë me burra si Trump gjatë gjithë kohës”. /Telegrafi/