Kosova ka vazhduar edhe sot me stërvitjen e radhës në Kampin Nacional në Hajvali, në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e këtij muaji të vlefshme për kualifikimet Euro 2024.
Dardanët luajnë kundër Rumanisë (më 16 qershor) dhe kundër Bjellorusisë (më 19 qershor).
Nën drejtimin e përzgjedhësit Alain Giresse dhe stafit të tij teknik, 17 Dardanët që kanë arritur deri më tash në grumbullim kanë stërvitur me një intensitet pak më të shtuar se në ditën e parë, teksa nesër pritet që ekipi të jetë i kompletuar për të vazhduar punën intensive.
Përveç punës në fushën e gjelbër, në orët e paradites lojtarët kanë bërë ushtrime fitnesi në hotel.
Atmosfera është shumë e mirë, teksa futbollistët i presin dy sfidat e këtij muaji me padurim për të dhënë maksimumin e tyre.
Edhe stërvitjen e radhës Kosova do ta zhvillojë në Hajvali, nesër në orën 17:00.