Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kërkoi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’i rezistojnë çfarëdo presioni që mund ta kenë për ratifikimin e Demarkacionit.
GP i AAK-së thekson se populli i Kosovës deputetëve iu ka dhënë besimin për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Republikës, andaj me të drejtë deputetët janë zëri i tyre.
“Populli i Kosovës ju ka dhënë besimin për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Republikës, andaj me të drejtë ju jeni zëri i tyre, prandaj mos e sakatoni Kosovën për të ruajtur një Komision Qeveritar që po e tkurr territorin e vendit. Nuk ruhen raportet me askënd duke e dëmtuar veten”, thuhet në reagim.
AAK thekson se Kosova ka dhe do të ketë raporte të mira me fqinjët e saj, por në asnjë variant kjo nuk do të thotë që duhet të jepet territor për fqinjësi të mirë.
“Ne nuk po pretendojmë në territoret e humbura para 103 vjetësh, por të ruajmë këtë territor që e kemi. Grupi Parlamentar i AAK-së, ju bënë thirrje që të kundërshtohet në çfarëdo forme ratifikimi i kësaj marrëveshje që e dëmton Kosovën me mbi 8.8 mijë hektarë tokë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/