Site icon Telegrafi

Grupi i parë i besimtarëve myslimanë nga Kosova nisën për në Haxh, në mesin e tyre edhe Naim Tërnava

Për të kryer haxhin, si kushtin e pestë të besimit islam, nga Kosova sot janë nisur 216 besimtarë myslimanë të Prishtinës, nga gjithsej 1080 sa do të udhëtojnë këtë vit.

Në mesin e tyre është dhe kryetari i Bashkësisë Islame, myftiu Naim Tërnava, për të cilin nuk është hera e parë që po udhëton për në Mekë.

Ky i fundit tha se sot po realizohet ëndrra e shumë personave.

“Mund të them me përgjegjësi që çdo gjë sa i përket përgatitjes deri tash ka përfunduar, çdo gjë është në nivelin e duhur dhe besoj bashkërisht këtë vit të jem edhe unë me haxhinjtë e Kosovës – t’i kalojmë këto 23 ditë në Mekë dhe Medinë ku do të kryejmë edhe këtë ibadet”, tha ai.

Por disa nga ata që po prisnin për t’u nisur në aeroportin “Adem Jashari”, kanë thënë për KosovaPress se çmimi për këtë udhëtim ka qenë i lartë.

Por diçka të tillë nuk e mendon Tërnava, derisa siguron se këto udhëtime i paguan gjithmonë vet.

“Haxhi, bazuar në udhëtimin apo ushqimin, është një çmim i mirë dhe nuk është i lartë. Sepse është një çmim i arsyeshëm në raport me përgjegjësitë të cilat i ka Bashkësia Islame e Kosovës dhe pagesat të cilat duhet bërë për haxh”, ka thënë ai.

Kujtojmë se numri i besimtarëve që shkojnë në vendet e shenjta është rritur dhjetëfish dhe mosha mesatare është 40 vjet, ndërsa çmimi i Haxhit për besimtarët kosovarë këtë vit është 4.150 euro. /kp/Telegrafi/

Exit mobile version