Telegrafi

Grupi bankar Piraeus, 284 milionë euro fitim për 6 muaj

Grupi bankar grek Piraeues në të cilin përfshihet edhe Tirana Bank, një ndër kryesoret në tregun bankar shqiptar, ka publikuar sot raportin financiar për gjashtë muajt e parë të vitit në vazhdim.

“Fitimi neto i Piraeus Group gjatë gjysmës së parë të vitit 2008 ka shënuar një rritje prej 30%. Depozitat janë rritur me 5.6 Miliardë Euro që nga fillimi i vitit, me të njëjtin nivel me kredinë”, deklaroi për agjencinë e lajmeve NOA, Michalis Sallas, nga Bordi Drejtues i Praeues Group.

Ai shtoi se totali i aseteve të Grupit ka tejkaluar shifrën e 51 miliardë euro në fund të muajit Qershor 2008, duke evidentuar se “ky likuiditet arriti nivele historike dhe kapitali bazë qëndroi i fortë”.

Sallas theksoi se “pavarësisht kushteve të pafavorshme në tregjet ndërkombëtare, Piraeus Grup ka punuar me përkushtim për objektivat e tij të biznesit, që theksohet qartë në likuiditetin e lartë, mjaftueshmërinë e kapitalit, cilësinë e aseteve dhe sigurisht fitimin e tij”.