Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, sot do të mbajë takim koordinues me përfaqësuesit e grupeve të deputetëve, me të cilët duhet të dakordohet për thirrjen e seancës së parë pas zgjedhjeve lokale.
Siç informojnë nga Kuvendi, në pajtim me procedurat ligjore, seanca mund të cakotohet pasi KSHZ të përfundojë me gjithë procedurat rreth zgjedhjeve lokale dhe në Kuvend t’i dërgojë në formë të shkruar rezultatet përfundimtare, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në seancën e parë pas zgjedhjeve lokale do të votohet ndërprerja e mandateve të deputetëve të cilët u zgjodhën kryetarë komunash dhe do të verifikohet mandati i deputetëve të rinj që do të futen në Kuvend në vend të tyre.
Pas rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale, shtatë deputetë të LSDM-së u zgjodhën kryetarë komunash, ndërsa në vend të tyre do të ketë deputetë të rinj.
Gjithashtu do të verifikohet edhe mandati i deputetëve të rinj në vend të Bilalla Kasamit të Lëvizjes Besa dhe Bardhyl Dautit të PDSH-së, të cilët nuk arritën të bëhen kryetarë komunash, ndërsa më herët dhanë dorëheqje nga mandati i deputetit./Telegrafi/