Telegrafi

Grupe pune në MASH diskutojnë për ndryshime në ligjet për arsim fillor dhe të mesëm në Maqedoni

Tre grupe pune pranë Ministrisë për arsim dhe shkencë gjatë kësaj fundjave do të punojnë për ndryshime dhe plotësime në ligjet për arsim fillor dhe të mesëm dhe në dispozitat ligjore që kanë të bëjnë me fëmijët me nevoja të veçanta në arsim.

“Qëllimi i këtij procesi përfshirës është të merren parasysh nevojat e të gjitha grupeve të prekura, të jepen propozime dhe ide për atë se si përmirësohet sistemi arsimor dhe të ngritet cilësia e arsimit nga ana e atyre që janë të kyçur në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe janë pjesë e sistemit arsimor”, thuhet në kumtesën e MASH.

Siç informojnë nga MASH, në grupet e punës janë të përfshirë ekspertë nga Ministria, Zyra për zhvillim të arsimit, Qendra për arsim të mesëm profesional, Inspektorati shtetëror i arsimit, përfaqësues të SASHK, Shoqata e defektologëve të Maqedonisë, Oda e psikologëve, Plenumi i mësimdhënësve, arsimtarë dhe profesorë nga të gjitha rajonet e vendit si dhe përfaqësues nga organizatat qytetare./Telegrafi/