Site icon Telegrafi

Grupçin, shtohen aksidentet në rrugën rajonale

Pas asfaltimit, kjo rrugë në fshatin Grupçin të komunës së Zhelinës po kthehet në rrezik potencial për banorët, shkaku i vozitjes së shpejtë të makinave. Viktima e fundit, pikërisht në këtë vend ishte shtatë vjeçarja që e pësoi nga vozitja e shpejtë. Banorët kërkojnë që me çdo kusht në këtë rrugë të vendosen policë të shtrirë, pengesa në rrugë dhe të bëhet kufizimi i shpejtësisë, me qëllim që fëmijët të lëvizin rehat.

“Duhet të ketë polic, duhet të vozitet më pak, 40 të jetë. Duhet me vendos pengesa por kujt t’i thuash. Kjo rrugë është bë shumë e rrezikshme, një ditë e pësoi një fëmijë saktë këtu”, tha një banor.

“…vitin e fundit si tepër janë shtuar aksidentet, ndërsa javën e fundit ka pasur edhe aksident ku e kanë pësuar fëmijë kalimtar dhe kjo vjen si pasojë e lëvizjes së shpejtë të makinave sepse nuk ka kontroll të duhur që t’ua kufizoj shpejtësinë e lëvizjes së makinave. Ne para shkollës në të dy anët kërkuam që në fillim dhe u vendosën pengesa por nuk është aty problemi sepse 2–300 metra më lart janë dyqanet ku vazhdimisht lëvizin fëmijët por edhe të rriturit, ndërsa rreziku është i lartë”, theksoi Eshtref Ameti, drejtor i SH.F Pashko Vasa.

Kontaktuam edhe komunën e Zhelinës nga ku shprehën gatishmëri për ndërhyrje në këtë rrugë, por kërkuan nga banorët që të drejtohen me kërkesë zyrtarisht, sepse kjo rrugë i takon “Rrugëve të Maqedonisë” pasi bëhet fjalë për rrugë rajonale.

“Më herrët me kërkesë të drejtorit të shkollës vendosëm disa sinjale për ngadalësim të shpejtësisë, por nga qytetarët nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare. Ne gjithnjë kemi qenë të hapur dhe jemi të hapur që qytetarët të drejtojnë kërkesat e tyre dhe të njëjtat bashkë me banorët do i adresojmë kërkesat tek “Rrugët e Maqedonisë” që sa më shpejtë të merren masa bashkë me komunën që të kufizohet shpejtësia dhe të vendosen sinjalet adekuate”, theksoi Bujar Sulejmani, Komuna e Zhelinës./Alsat.mk

Exit mobile version