Të martën në Ferizaj është grumbulluar Kosova U-16 në hendboll (vajzat). Nën urdhrat e trajnerit Granit Sahiti, hendbollistet tona të reja menjëherë të martën kanë zhvilluar stërvitjen e parë në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Skuadra U-16 do të ushtrojë në Ferizaj deri në fundjavë, ndërsa më 17 prill planifikohet udhëtimi për në Podgoricë të Malit të Zi.
Në Podgoricë, Kosova U-16 merr pjesë në Kampionatin Mesdhetar. Vajzat tona i presin ndeshje të forta me rivalë cilësorë. Pos Kosovës e Malit të Zi, në Kampionatin Mesdhetar marrin pjesë edhe Kroacia, Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja e Turqia.
Ekipin tonë e pret orar i ngarkuar dhe shumë ndeshje të forta. Por, ky kampionat do të jetë një përvojë shumë e rëndësishme për zhvillimin e kësaj gjenerate.
Hendbollistet e reja, që janë të klubeve të vendit, e kanë vlerësuar lartë faktin se do të kenë ndeshje shumë të forta me moshataret e tyre nga vende të ndryshme evropiane.