Dyshja e pandashme Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski në nëntor do të ulen në bankën e të akuzuarve, në gjykatën e Selanikut për pasaportat e rreme bullgare, me të cilët ata donin të arratisen në Hungari. Pothuajse pas gjysmë viti iu është caktuar seancë gjyqësore për identitetet e rreme, njofton Alsat.
Grujevski e ndërroi emrin në Hristo Atanasov, ndërsa Nikolla Boshkovski në Nexhbi Hasan. Ata tashmë janë në liri, pasi Gjykata Supreme vendosi ata të mos i dorëzojë në vendin tonë. Gjyqtarët suprem grek, si element kyç, që të mos ekstradohet tandemi i arratisur, e theksuan faljen nga Presidentit Gjorge Ivanov.
Falja, konsiderojnë, se nuk mundet të tërhiqet. Ata të dy, përveç pasaportave të falsifikuara dhe identiteteve të vjedhura, kanë paralelisht edhe një procedurë për azil politik në Greqi. Ata kanë frikë të kthehen në Maqedoni me dyshimin se PSP ka hapur një rast politik kundër tyre.
Megjithatë, mbetet një dilemë nëse Grujevski dhe Boshkovski i kanë respektuar të gjitha procedurat në aplikimin për azil. Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare Penale, Sejfulla Osmani, në tetorin e kaluar, analizoi se dyshja e DSK-së me sa duket nuk i plotëson kushtet për azil.