Telegrafi

Grubi tregon për procesin e regjistrimit: Regjistrim mohoi të gjitha pretendimet politike

Zv.kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi ka komentuar regjistrimin e popullatës dhe amvisërive në Maqedoni duke thënë se ka qenë një proces me obstrukcione dhe sfida, por, sipas, tij ky regjistrim ka qenë i realizuar me sukses, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Pas 20 vjetësh, më në fund realizuam edhe këtë operacion statistikor përmes një metodologjie të re të Eurostatit dhe me teknologji të re në mënyrë elektronike edhe përkundër debateve politike, obstrukcioneve dhe sfidave. Të gjitha u tejkaluan dhe e realizuam me sukses Procesin e Regjistrimit të popullësisë.
Ka qytetarë të cilët nuk janë regjistruar, që sipas EuroStat është e zakonshme, por me rëndësi ky regjistrim mohoi të gjitha pretendimet politike dhe nxjerr në pah pasqyrën momentale të popullatës së përgjithshme në vend, diasporë dhe në komuna. Shqiptarët janë 29.5% në popullësinë e përgjithshme dhe 24.3% në popullësinë rezidente, ndërsa në qytetin e Shkupit 22.8% (nga 20.04% në 2002)
Numrat e komuniteteve tjera në kategori të ndryshme mund ti gjeni në tabelat e bashkangjitura” ka shkruar Grubi.

Përndryshe, në nivel vendi sipas rezultateve, nga popullsia e përgjithshme në Maqedoninë e Veriut, 54.21% janë deklaruar maqedonas, 29.52% shqiptarë, 3.98% turq, 2.34% rom, 0.44% vlleh, 1.18% serb dhe të tjerë. /Telegrafi/