Site icon Telegrafi

Grubi: Presim përgatitje koncensuale të draft-amendamenteve kushtetuese

Kontaktet midis partnerëve në koalicionin BDI-LSDM janë të përditshme dhe kontakti me kryeministrin Zoran Zaev është gjithashtu i përditshëm dhe konsideroj se përgatitja e draft-amendamenteve në Qeveri do të jetë koncensuale dhe në frymën e punës në koalicion dhe veprimtarisë në Qeveri, si dhe në Kuvend, deklaroi deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se a do të insistojë BDI-ja që në Preambulën e Kushtetutës të vendoset marrëveshja e Ohrit, ai tha se beson se në Kuvend do të arrijë teksti i konsoliduar i draft-amendamenteve, por jo vetëm ndërmjet LSDM-së dhe BDI-së, por edhe me Grupin e pavarur parlamentar të OBRM-PDUKM-së dhe koalicionin “Për Maqedoni Evropiane”. Grubi shprehi bindje se do të rritet numri i deputetëve që në të ardhmen do t’i mbështesin amendamentet kushtetuese, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Për nismat e Besës dhe të Aleancës për Shqiptarët për vendosjen e propozimeve të tyre në amendamentet kushtetuese, deputeti Grubi thotë se deputetët e tyre kanë shfaqur mosdije në Rregullore, sepse tashmë kanë votuar për atë se çka do të ndryshohet në Kushtetutë.

“Nuk mund të intervenohet në nene tjera përveç ato që ndryshohet. Për këtë shkak konsideroj se kjo është nismë për politikë ditore dhe propagandë”, theksoi Grubi.

Ai gjithashtu, nuk beson se do të mblidhet numër i mjaftueshëm që t’i merret mandati ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

“Marrja e mandatit të deputetit është me shumicë apsolute. S’jemi të sigurtë nëse do të ketë sukses për shkak se për këtë na nevojiten votat e opozitës”, tha Grubi./Telegrafi/

Exit mobile version