Një grua e etur për një fëmijë është arrestuar nga policia kineze, pasi kishte vjedhur foshnjën e porsalindur nga një spital në veriperëndim të Kinës.
Gruaja nga qyteti Hetian, nuk mund të kishte fëmijë pasi kishte pësuar disa aborte, kurse kamerat e sigurisë kanë filmuar incidentin e 26 dhjetorit në një spital, transmeton Telegrafi.
Ajo shihet se si shëtitet nëpër korridoret e repartit të gjinekologjisë, ku pas disa tentimeve arrin ta vjedh foshnjën e porsalindur që ishte e mbështjellë me batanije dhe të largohet nga objekti pa ndonjë problem.
Me të kuptuar se foshnja ishte zhdukur, stafi i spitalit lajmëruan policinë që menjëherë i kontrolluan pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë. Aty arritën ta identifikojnë të dyshuarën dhe pas disa orëve kërkime edhe ta arrestojnë.
Duke u munduar të arsyetojë veprimin, e dyshuara i kishte thënë policisë se nuk mund të ngelet më shtatzënë pasi disa aborteve që e i kishte pësuar.
“Bashkëshorti më ka thënë shumë herë se do të shkurorëzohet nga unë sepse nuk mund të lindi fëmijë. Kështu nuk pata zgjidhje tjetër, përpos që të vjedh një foshnje dhe ta rris sikur të ishte foshnja im biologjik”, ka deklaruar ajo. /Telegrafi/