Në rreth 40 kilometra nga Zavidovici në Bosnjë dhe Hercegovinë, ka një fshat Crnjevo, në të cilin gjendet ndoshta i vetmi person në botë që trajton sytë, gjegjësisht shikimin, duke përdorur gjuhën.
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Hava Çelebiq, ose si e quajnë të gjithë “Nëna Hava” mjekon sytë me lëpirje të tyre.
Tetëdhjetëvjeçarja, një grua e dobët, pretendon se me anë të lëpirjes së syve, ajo nga sytë heq copa plubmi, hekuri, qymyri, xham,….
Ajo shpërlanë gojën me alkool, i afrohet pacientit, i hap qepallën, ia lëpin syrin me gjuhë, duke kërkuar një trup të huaj.
“Këtë e kam mësuar nga një grua që quhej Hava. Askush për fat të keq nuk do ta trashëgojë, fëmijët e mi janë të neveritur me faktin se duhet vënë gjuhën në sytë e dikujt”, rrëfen Hava.
Nëna Hava pretendon se ka trajtuar mbi 5,000 persona, dhe thotë se ata erdhën nga të gjitha vendet, që nga Amerika deri në Rusi, përcjell Telegrafi.
“Shumë prej tyre kanë ardhur pasi që mjekësia nuk mund tu bënte zgjidhje. Ata erdhën nga spitali me sytë e fryrë, unë ua pastroja dhe ua nxirrja lëmishten”.
Ajo thotë se atyre që nuk janë të punësuar, dhe që nuk kanë para, nuk u merr para, edhe pse sipas saj shuma standarde për një shërbim të tillë është vetëm 10 euro. /Telegrafi/