Një grua nga shtrati i spitalit në Pennsylvania, ka rrëfyer tmerrin që kishte përjetuar kur u sulmua nga ariu, shkruan Sky News.
Ajo tha se mendonte se “do të vdesë”, pasi ariu kapërceu rrethojën e oborrit duke e rrëzuar në tokë dhe filloi ta kafshonte në pjesën e pasme të kokës, transmeton Telegrafi.
Lee Ann Galante mendoi se ariu do t’ia shkulte kokën në sulmin e të martës mbrëma në Butler Township. 55-vjeçarja kishte nxjerrë qenin e saj për shëtitje, kur Galante pa tre arinj.
“E pashë ariun duke kapërcyer rrethojën dhe menjëherë fillova t’i bërtas qenit që të largohet”, tha 55-vjeçarja.
Ajo kujtoi momentin kur ariu e përplasi me fytyrë për betoni dhe mendoi se ariu do t’ia këpusë kokën.
Megjithatë ishte qeni ai që e shpërqendroi ariun, i cili vazhdimisht tentonte t’i vërsulet por pa ndonjë sukses. E kjo e ndihmoi Galante që t’i shpëtojë më të keqes.
Ajo ka mbetur me hundë të thyer, prerje në duar dhe gojë dhe disa gërvishtje në pjesë të ndryshme të trupit. /Telegrafi/