Një nënë nga Filadelfia ka sjellë në jetë atë që besohet të jetë “foshnja e parë Tesla në botë”: një foshnjë e lindur në ulësen e përparme të një makine elektrike inteligjente ndërsa ajo po ngiste me autopilot.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, lindja e jashtëzakonshme, e raportuar nga Philadelphia Inquirer, ndodhi në shtator, ndërsa Yiran Sherry, 33 vjeçe, dhe bashkëshorti i saj Keating Sherry, 34 vjeç, po çonin djalin e tyre tre-vjeçar Rafa në parashkollor.
Dhe gjatë rrugës, ajo filloi të ndjente dhimbjet e mëdha të lindjes ndërsa familja ishte e bllokuar në trafik.
Me kontraktimet që rriteshin me shpejtësi dhe trafiku mezi lëvizte, çifti e kuptoi se nuk do t’ia dilnin me kohë.
Kështu, Keating Sherry e vendosi automjetin në autopilot dhe vendosi sistemin e navigimit për në spital, 20 minuta larg në periferinë perëndimore të Paoli.
Ai tha se vuri njërën dorë butësisht në timonin e makinës ndërsa kujdesej për gruan e tij.
“Ajo po më shtrëngonte dorën deri në pikën ku mendova se do ta copëtonte atë”, tha Keating Sherry për Inquirer. “Po thoja] ‘Yiran, OK, fokusohu në frymëmarrjen tënde. Kjo ishte këshillë edhe për veten time. Adrenalina ime po rritej”.
Lindja e foshnjës është një lajm i mirë për Tesla-n, e cila është goditur nga publiciteti i keq për shqetësimet e sigurisë.
Vetëm këtë javë një kompani taksie në Paris ndërpreu përdorimin e makinave Tesla Model 3 pas një aksidenti fatal.
Tesla më parë u përball me një padi në Florida për një aksident që përfshinte vdekjen e një adoleshenti në një Model S në vitin 2019.
E bashkëthemeluar nga njeriu më i pasur në botë, sipërmarrësi i PayPal dhe SpaceX, Elon Musk, në tetor kompania u urdhërua të paguante dëmshpërblim prej 137 milionë dollarësh për një punonjës me ngjyrë, i cili ishte abuzuar racialisht.
Tesla gjithashtu përballet me akuza për sulme seksuale nga shumë gra. /Telegrafi/