Telegrafi

Gruaja në Mianmar vazhdon stërvitjet, pa e kuptuar se po filmonte grusht shtetin që po ndodhte “prapa saj”

Khing Hnin Wai është një instruktore e edukimit fizik që jeton në Pyinmana, Mianmar.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për një grua e cila ishte duke bërë rutinën e saj të rregullt të stërvitjeve, kur kapi pamjet që tanimë janë bërë virale në rrjetet sociale.

Siç thuhet më tej, sipas profilit të saj në Facebook, ajo ishte duke bërë rutinën e saj të rregullt të stërvitjes të hënën në mëngjes, të cilën e regjistroi, kur automjetet filluan të shkonin drejt Parlamentit për një grusht shteti.

Madje, çfarë bie në sy është edhe fakti se ajo nuk i ndërpret lëvizjet e saj, ndonëse makinat shkojnë drejt rrugës së bllokuar për në parlamentin e Mianmarit prapa saj.

Reagimet filluan të përhapeshin nëpër mediat sociale ndërsa bota shikonte udhëzimet e Khing Hnin Wai në sfondin e një demokracie në krizë.

Disa reagime të mediave sociale vunë në dyshim vërtetësinë e videos, megjithatë, siç shkruan Newsweek, Khing Hnin Wai ka një numër videosh të tjera stërvitje të postuara në profilin e saj në Facebook të kapura në të njëjtin vend, sipas një postimi vijues që ajo publikoi të hënën.

Khing Hnin Wai tha në postimin e dytë se “vallëzimi” ishte për një konkurs, dhe ajo nuk e vazhdoi vallëzimin e saj si një “shaka”, as në përpjekje për të fituar “famë”.

Ajo shtoi se nuk mendonte se videoja do të bëhej ndonjëherë virale.

Gjithsesi, normaliteti i stërvitjes së Khing Hnin Wai është në kontrast me problemet që grushti i shtetit ka shkaktuar në vend.

Sinjalet televizive u ndërprenë në të gjithë vendin dhe qasja në telefona dhe internet u humb në kryeqytetin e vendit të Azisë Juglindore, Naypyidaw.

Ndryshe, ushtria, e njohur gjithashtu si Tatmadaw, ka kontestuar rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit, duke pretenduar se kishte mashtrim në zgjedhje – edhe pse asnjë provë e mashtrimit të pretenduar nuk është paraqitur deri më tani. /Telegrafi/