Një grua në Alaskë thotë se “u hodh përpjetë dhe bërtiti” kur u sulmua nga një ari derisa ishte duke e përdorur tualetin.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Shannon Stevens ishte duke e përdorur një tualet të largët në Liqenin Chilkat fundjavën e kaluar, kur i ndodhi e papritura. Ajo pësoi një plagë si rrjedhojë e këtij sulmi.
Pasi dëgjoi britmën e saj, vëllai i Stevens shkoi për të parë se çfarë e kishte shkaktuar lëndimin, dhe gjeti kokën e një ariu në vrimën e tualetit.
Stevens thotë se plaga ishte shkaktuar ose nga një kafshim ose goditje nga thoi i ariut.
Ajo po e kalonte fundjavën në një tendë me vëllaun e saj Erik si dhe me të dashurën e tij kur ndodhi incidenti.
Më herët në mbrëmje ata kishin pjekur suxhukë në një zjarr të hapur.
“Unë shkova atje dhe u ula në tualet dhe menjëherë diçka më kafshoi prapanicën derisa u ula”, tha ajo për AP. /Telegrafi/