Një grua e cila u zhduk në një shëtitje të vetme në malet Snowy të Australisë u gjet “e plagosur”, ka njoftuar policia, pasi kishte vuajtur nga një kafshim i dyshuar gjarpri ndërsa ishte zhdukur për gati dy javë.
Lovisa Sjoberg, 48-vjeç, u pikas nga ekipet e shpëtimit teksa po ecte përgjatë një shtegu shkurresh në Parkun Kombëtar Kosciuszko, në jugperëndim të kryeqytetit Canberra.
Kryeinspektori i policisë së Uellsit të Ri Jugor, Toby Lindsay tha se ajo ishte “me fat që ishte gjallë” pasi u kafshua nga një gjarpër, potencialisht një lloj helmues pickimi i të cilit mund të çojë në vdekje.
“Ajo tha se ishte kafshuar nga një gjarpër afërsisht katër ditë më parë dhe ishte e dehidratuar”, tha Lindsay.
“Ajo në fakt është shumë me fat që është gjallë dhe ka kaluar një kohë mjaft të vështirë”, shtoi ai.
Nuk dihet se sa kohë Sjoberg ishte zhdukur – por për herë herë të fundit ajo ishte parë duke drejtuar një veturë me qira më 15 tetor, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Policia filloi hetimin për vendndodhjen e saj vetëm pasi kompania e veturave me qira raportoi se automjeti i tyre nuk ishte kthyer.
Oficerët gjurmuan automjetin në Kiandra, një ish-qytet i minierave të arit pranë maleve dhe hetuan teorinë se Sjoberg kishte humbur.
Bëhet e ditur se policia dërgoi helikopterë, aeroplanë dhe vendosi ekipe kërkimi në rrugë, në këmbë dhe me kalë për gjashtë ditë përpara se ta dallonte atë të dielën.
Ndryshe, pjesa veriore e Parkut Kombëtar Kosciuszko u rihap kohët e fundit për vizitorët pas një mbylljeje vjetore gjatë dimrit.
Parku u mbyll dy muaj më parë këtë vit për të lejuar vrasjen nga ajri të drerëve, derrave dhe kuajve të egër, në një përpjekje për të mbrojtur mjedisin e tij alpin. /Telegrafi/