Ndoshta as vetë mund të mos e kishte menduar se do të jetonte edhe më shumë sesa skuadra e Tiranës në Superligë, skuadra që bashkëshorti i saj themeloi dhe drejtoi i pari në sukseset e fillesës.
Nezihat Stermasi, bashkëshortja e Selman Stërmasit, edhe pse sot është 97 vjeçe, e të njëjtës ditëlindje me Sport Klub Tiranën, tregon se shtëpia e tyre ishte selia e parë nga ku drejtohej klubi bardheblu.
“Këtu vinin të gjithë lojtarët e Vllaznisë, Korçës, Vlonës. Unë gatuaja për 10-20 veta, që i sillte Stërmasi, se kjo dhomë ishte si han. Flinin, hanin dhe më pas të nesërmen shkonin për të luajtur”, është shprehur ajo, citon Top Channel.
Ekipi i Tiranës ka qenë gjithçka për familjen Stërmasi, deri kur politika e hoqi Selmanin nga drejtimi dhe shkak ishte ndryshimi i emrit nga Sport Klub Tirana, në 17-Nëntori, një emër i papranueshëm për të.
“E gjeta në shtëpi, qante si fëmijë e thoshte, çfarë bëra, përse me hoqën”, kujton bashkëshortja e Selman Stërmasit.
Pyetjes nëse “Selmani të donte më shumë ty apo Tironën?”, Nezihati i përgjigjet: “Tironën…Tironën…”.
Stërmasi ishte një futbollist, trajner dhe president i skuadrës KF Tirana dhe cilësohet si një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe një nga trajnerët më të famshëm.
Kujtojmë se Tirana ka rënë për herë të parë në historinë e saj në Kategorinë e Parë.