Telegrafi

Gruaja e Nainggolan: Ishte dashuri në shikim të parë, por dashuria nuk është e përjetshme (Foto)

Claudia Lai është një vajzë e thjeshtë dhe e dashuruar. Ka shumë nostalgji për jetesën në Cagliari, por ndërkohë i është dashur të ndjekë të dashurin e saj, Radja Nainggolan, i vendosur në kryeqytetin italian për një tjetër cikël të karrierës së tij, e në Romë kanë marrë edhe fëmijët.

Bashkëshortja e mesfushorit të Romës ka rrëfyer për Le Capitane raportin e saj me futbollistin, me të cilin ishte njoftuar gjatë kohës kur ai luante në Sardenjë.

“E njoha Radjan në Cagliari dhe ishte një dashuri me shikim të parë”, është shprehur ajo, citon Top Channel.

“E kam marrë vesh dy muaj më vonë se ai ishte futbollist, e të them të drejtën doja ta lija, sepse futbollistët në përgjithësi bëjnë një jetë në ndryshim të vazhdueshëm. Për më tepër ka edhe shumë admiruese të tjera”.

“Unë punoja në një qendër tregtare me kohë të plotë, punë për të cilën kam nostalgji, më mungon shumë. Kur më tha se do të transferoheshim në Romë nuk e prita mirë, por ma tha në momentin e pagëzimit teksa festonim me shoqërinë”.

“Këtu në Romë të gjithë të shohin se si je veshur, ndryshe nga Cagliari. Por, unë jam kështu si jam dhe pas një viti nisa të dilja me atlete. Më mungon jeta e mëparshme, kur kisha më shumë liri për të bërë gjërat që doja”, ka shtuar Lai.

Mirëpo, Claudia i ka bërë edhe njëfarë paralajmërimi Nainggolanit për lidhjen e tyre.

“Gjithsesi, dashuria nuk është e përjetshme, edhe pse dua ta çoj sa më larg të mundem këtë lidhje. Do të më vinte keq vetëm për fëmijët, por në jetë mund të ndodhë gjithçka”, ka thënë ajo.