Gruaja e këngëtarit të njohur Michael Buble, Luisana Lopilato, ka folur për herë të parë rreth betejës së djalit të tyre Noah me sëmundjen e kancerit në mëlçi.
Këto ditë, i vogli Noah ka përfunduar një tjetër trajtim me sukses në Los Angeles, transmeton Telegrafi.
Ndërkohë nëna e dy fëmijëve dha një konferencë për shtyp, pasi ajo dhe familja e saj u kthyen në Argjentinë, pas trajtimit të 3 vjeçarit në kimioterapi për rreth katër muaj në SHBA.
Duke folur me gëzim,Luisiana tregoi se djali i saj tashmë po e mund sëmundjen dhe për këtë gjë ajo ka falënderuar pa masë mjekët, fansat për mbështetjen dhe në veçanti stafin e filmit të ri, ku ajo do të marrë pjesë, të cilët kanë ndërprerë në gjysmë filmin, vetëm e vetëm që ajo të gjendet pranë djalit dhe të mos detyrohet të shkelë kontratën.
“Falë Zotit, djali im është mirë. Kur në jetë ju ndodhin gjëra të tilla siç na ndodhën neve, jeta juaj merr kahje tjetër”, u shpreh ajo.
“Kjo ka ndodhur dhe me ne, prandaj unë tani e shikoj me një tjetër sy jetën. Unë dua t’i falënderoj të gjithë njerëzit për ndihmën e tyre, për lutjet që dhanë ata, dhe për dashurinë e tyre”, tha Lopilato, duke thënë se ende është shumë e ndjeshme rreth ngjarjeve që ka përjetuar. /Telegrafi/